bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Luke 18
Luke 18
albanian-2018
1
Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t'u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë.
2
Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit.
3
Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”.
4
Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit,
5
meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t'ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”».
6
E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë.
7
Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t'i ndihmojë?
8
Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?».
9
Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
10
«Dy njerëz shkuan për t'u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës.
11
Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës.
12
Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”.
13
Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”.
14
Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet».
15
Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t'i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin.
16
Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata.
17
Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».
18
Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?».
19
Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë.
20
Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ».
21
Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime».
22
Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».
23
Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.
24
Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!
25
Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».
26
Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».
27
Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».
28
Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje».
29
Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë,
30
nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».
31
Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet.
32
Ai do t'u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë
33
dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet».
34
Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.
35
Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte.
36
Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte.
37
Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit».
38
Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».
39
Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!».
40
Jezui ndaloi e urdhëroi t'i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti:
41
«Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!».
42
Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi».
43
Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.
← Chapter 17
Chapter 19 →