bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Luke 19
Luke 19
albanian-2018
1
Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet.
2
Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur.
3
Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës.
4
Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge.
5
Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde».
6
Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar.
7
Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar».
8
Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish».
9
Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10
Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».
11
Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast.
12
Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej.
13
Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”.
14
Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”.
15
Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur.
16
Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”.
17
Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”.
18
Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”.
19
Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”.
20
Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë,
21
se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”.
22
Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë?
23
Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”.
24
Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”.
25
Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”.
26
Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka.
27
Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».
28
Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem.
29
Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve
30
e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni.
31
Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”».
32
Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai.
33
Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?».
34
Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të».
35
Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të.
36
Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre.
37
Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë.
38
Ata thoshin: « Bekuar qoftë mbreti që vjen në emër të Zotit! Paqe në qiell e lavdi në lartësitë e qiejve!».
39
Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin».
40
Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin».
41
Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të
42
e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu.
43
Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë.
44
Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».
45
Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty.
46
Dhe u tha: «Është shkruar: shtëpia ime është shtëpi lutjeje, por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
47
Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin,
48
por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte.
← Chapter 18
Chapter 20 →