bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Isaiah 26
Isaiah 26
albanian-2018
1
Atë ditë në tokën e Judës kjo këngë do të këndohet: qytetin e kemi të fortë, të ndërtuar për shpëtimin tonë, me mure e me bedena.
2
Hapini dyert, që të hyjë kombi i drejtë, kombi që qëndron besnik.
3
Synimet e tij nuk luhaten dhe ti e mban në paqe, e mban në paqe, se ka shpresuar te ti.
4
Kini përherë shpresë te Zoti, se Zoti, Zoti është shkëmbi i amshuar.
5
Ai i përuli ata që rrinin lart, qytezën që ndodhej në lartësi e rrëzoi, e plandosi përtokë, në pluhur e hodhi.
6
E shkelin me këmbë, e shkelmojnë këmbët e skamnorëve, e shtypin hapat e të varfërve.
7
Udha e të drejtit është e sheshtë; ti ia sheshon udhën të drejtit, o i drejtë!
8
Kemi pritur udhën e gjykimeve të tua, o Zot, shpirti ynë ka dëshiruar emrin e kujtimin tënd!
9
Të dëshiron shpirti im natën, fryma ime përbrenda të kërkon. Kur të zbatohen gjykimet e tua në tokë, banorët e botës do të mësojnë drejtësinë.
10
Po t'i jepet mëshirë të paudhit, drejtësinë s'ka për ta mësuar, në një vend të ndershëm të keqen do të bëjë, madhështinë e Zotit s'ka për ta parë.
11
Dora jote është ngritur, o Zot, por ata s'e shohin. Do të shohin zellin tënd për popullit tënd e do të turpërohen, zjarri i armiqve të tu ka për t'i përpirë.
12
O Zot, ti do të na japësh paqen, se çdo vepër tonën, ti e ke kryer.
13
O Zot, Perëndia ynë, të tjerë sundues, e jo ti, na kanë sunduar, por ne kujtojmë vetëm emrin tënd.
14
Të vdekurit nuk do të jetojnë më, hijet më nuk do të ngrihen, prandaj ti i ndëshkove e i zhbive, kujtimin e tyre e shkatërrove.
15
E ke shtuar kombin, o Zot, kombin e ke shtuar; u bëre i lavdishëm, tërë kufijtë e vendit i zgjerove.
16
Ty, o Zot, të kërkuan në fatkeqësi, ty t'u përgjëruan, kur i ndëshkoje.
17
Si shtatzëna, kur i vjen koha për të lindur, kur përpëlitet e bërtet nga dhimbjet, ashtu kemi qenë para teje, o Zot.
18
Ishim ngjizur, kishim dhimbje, si të ishim gati për të lindur, por pollëm erë, tokës shpëtim s'i sollëm e as banorë të tjerë botës nuk i lindëm.
19
Por të vdekurit e tu do të jetojnë sërish, kufomat do të ringjallen. Ngrihuni e brohoritni, o ju që dergjeni në pluhur! Se vesa jote është vesë drite dhe tokën e hijeve ti e sjell në jetë.
20
Përpara, o populli im, hyr në dhomat e tua! Mbylle derën pas teje e fshihu për pak kohë, sa të kalojë zemërimi.
21
Se, ja, Zoti po del prej banesës, për të ndëshkuar paudhësinë që bënë kundër tij banorët e tokës. Do ta nxjerrë në shesh toka gjakun e derdhur e më s'do t'i fshehë të vrarët e saj.
← Chapter 25
Chapter 27 →