bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Zechariah 14
Zechariah 14
albanian-2018
1
«Ja, po vjen një ditë për Zotin, kur plaçka e marrë prej teje do të ndahet në mesin tënd.
2
Do t'i mbledh tërë kombet që ta sulmojnë Jerusalemin. Qyteti do të bjerë, shtëpitë do të plaçkiten, gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por pjesa tjetër nuk do zhbihet prej qytetit.
3
Atëherë Zoti do të dalë të luftojë kundër këtyre kombeve, si në ditën e betejës.
4
Këmbët e tij, atë ditë, do të qëndrojnë mbi malin e Ullinjve, kundruall Jerusalemit, në lindje. Dhe mali i Ullinjve do të çahet më dysh e një luginë e madhe do të shtrihet nga lindja deri në perëndim, aq sa gjysma e malit do të zhvendoset drejt veriut e gjysma tjetër drejt jugut.
5
Do të merrni arratinë përmes luginës së maleve, se ajo do të shtrihet deri në Acal. Do të merrni arratinë siç bëtë nga tërmeti në ditën e Uziahut, mbretit të Judës, dhe Zoti, Perëndia im, do të vijë te ti bashkë me tërë të shenjtët e tij.
6
Atë ditë nuk do të ketë dritë, veç të ftohtë e akull.
7
Por do të vijë një ditë e veçantë, vetëm Zoti e di kur, ku s'do të ketë as ditë, as natë, se do të ketë dritë edhe në mbrëmje.
8
Atë ditë do të burojnë prej Jerusalemit ujëra të gjalla. Gjysma e tyre do të derdhen në detin e lindjes, gjysma tjetër në detin e perëndimit. Do të burojnë verës e dimrit.
9
Zoti do të jetë mbret i tokës. Atë ditë Zoti do të jetë i vetmi; emri i tij do të jetë i vetmi emër.
10
Tërë toka do të shkretohet prej Gebës deri në Rimon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ndërtohet e banohet në vendin e vet, që prej portës së Benjaminit deri te porta e parë, deri te porta e këndeve, që prej kullës së Hananelit deri te torku i mbretit.
11
Jerusalemi do të banohet, kurrë nuk do të shfaroset. I sigurt do të banojë.
12
Kjo është plaga me të cilën Zoti do t'i godasë popujt që luftuan kundër Jerusalemit: do t'u kalbet mishi, ndërsa rrinë në këmbë, sytë brenda në zgavra e gjuha në gojë.
13
Atë ditë do t'i pllakosë një pështjellim i madh prej Zotit, saqë do të kapen me njëri-tjetrin dhe secili do të ngrejë dorë kundër të afërtit.
14
Deri edhe Juda do të luftojë kundër Jerusalemit. Do të grumbullohen pasuritë e gjithë popujve përreth, ar, argjend e petka me shumicë.
15
Me një plagë të tillë do të goditen kuajt, mushkat, devetë, gomarët dhe tërë gjëja e gjallë që gjendet në këto fushime.
16
Ata që do të shpëtojnë prej kombeve që dolën kundër Jerusalemit, do të shkojnë vit për vit për të adhuruar mbretin, Zotin e ushtrive, e për të kremtuar festën e Kasolleve.
17
Nuk do të bjerë shi për fiset e tokës që nuk shkojnë në Jerusalem për të adhuruar mbretin, Zotin e ushtrive.
18
E nëse fiset e Egjiptit nuk shkojnë, do t'i zërë e njëjta plagë, me të cilën Zoti dënoi ata që nuk shkuan për të kremtuar festën e Kasolleve.
19
Ky do të jetë ndëshkimi për Egjiptin e për tërë kombet që nuk do të shkojnë për të kremtuar festën e Kasolleve.
20
Atë ditë, mbi zilkat e kuajve do të jetë shkruar: “I shenjti i Zotit ” dhe enët e gatimit në shtëpinë e Zotit do të jenë po aq të shenjta sa enët para altarit.
21
Çdo enë gatimi në Jerusalem e në Judë do t'i shenjtërohet Zotit të ushtrive, që kushdo që kushton fli, të mund t'i marrë për të zier flinë. Atë ditë nuk do të ketë më tregtarë në shtëpinë e Zotit të ushtrive».
← Chapter 13