bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Revelation 13
Revelation 13
albanian-2018
1
Pastaj pashë një bishë që doli nga deti. Bisha kishte dhjetë brirë dhe shtatë kokë. Mbi brirë kishte dhjetë kurora të vogla, ndërsa mbi koka kishte emra fyes.
2
Bisha që pashë ngjante me një leopard. Këmbët i kishte si të ariut, ndërsa gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë, fronin dhe pushtetin e tij të madh.
3
Njëra nga kokat e saj dukej si e plagosur për vdekje, por plaga vdekjeprurëse u shërua. Atëherë të gjithë njerëzit e tokës u mrekulluan pas bishës
4
dhe adhuruan dragoin që i kishte dhënë pushtetin bishës. Adhuruan edhe bishën e thanë: «Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?».
5
Bishës iu dha një gojë për të thënë fjalë të mëdha fyese dhe ky pushtet iu dha për dyzet e dy muaj.
6
Atëherë ajo hapi gojën për të fyer Perëndinë, emrin e tij, banesën e tij, si dhe të gjithë ata që banojnë në qiell.
7
Asaj iu dha pushteti të luftojë kundër të shenjtëve dhe t'i mundë ata. Iu dha pushteti edhe mbi çdo fis, popull, gjuhë e komb.
8
Bishën do ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, të cilët që nga krijimi i botës nuk e kanë emrin të shkruar në librin e jetës që i përket Qengjit të therur.
9
Kush ka veshë le të dëgjojë:
10
kush është për t'u zënë rob, rob do të zihet. Kush është për t'u vrarë me shpatë, nga shpata do të vritet. Këtu do të duket durimi dhe besimi i të shenjtëve.
11
Pastaj pashë një bishë tjetër që doli nga toka. Bisha kishte dy brirë si brirë qengji dhe fliste si dragua.
12
Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë para syve të saj dhe detyronte tokën me gjithë banorët e saj të adhuronin bishën e parë, së cilës i qe shëruar plaga vdekjeprurëse.
13
Bisha tjetër bënte shenja të mëdha, sa edhe e bënte zjarrin të zbriste nga qielli në tokë para njerëzve.
14
Ajo mashtronte banorët e tokës me shenjat për të cilat i ishte dhënë pushteti të bënte para syve të bishës së parë. Ajo u tha banorëve të tokës t'i bënin një shëmbëlltyrë bishës që jetonte ende, megjithëse ishte e plagosur nga shpata.
15
Asaj iu dha fuqi për t'i dhënë shpirt shëmbëlltyrës së bishës, që shëmbëlltyra të fliste dhe t'i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk e adhuronin.
16
Bisha i detyroi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të lirë e skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë dhe në ballë.
17
Askush nuk mund të blinte apo të shiste pa pasur damkën me emrin e bishës apo me numrin e emrit të saj.
18
Këtu duhet urti! Kush ka mend, le ta përllogarisë numrin e bishës, sepse ai është numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.
← Chapter 12
Chapter 14 →