bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Jeremiah 12
Jeremiah 12
albanian-2018
1
Ti je i drejtë, o Zot, që unë të të bëj gjyq, por për vendimet dua të flas me ty. Pse përparon udha e të mbrapshtëve dhe të gjithë tradhtarët janë të qetë?
2
Ti i mbolle e ata vënë rrënjë, rriten e japin fryte. Të mbajnë afër me gojë, por larg ndjenjave të tyre.
3
Por ti, o Zot, më njeh e më sheh, ma sprovove zemrën e ajo është me ty. Shqyeji porsi delet në thertore, ndaji veç për ditën e therjes.
4
Deri kur do të rrijë në zi toka e bari i mbarë fushave do të vyshket? Kafshët e zogjtë shfarosen, për shkak të banorëve, se thonë: «Ai nuk e sheh të ardhmen tonë».
5
Nëse ke vrapuar me këmbësorët e je lodhur, si do të bësh garë me kuajt? Nëse ke besim vetëm në një tokë të qetë, çfarë do të bësh në shkurrnajën e Jordanit?
6
Se edhe vëllezërit tuaj e shtëpia e atit tënd, edhe ata të bënë dredhi, edhe ata të hakërrehen nga pas me plot gojën. Mos u beso, edhe nëse të flasin ëmbël.
7
E braktisa shtëpinë time, e flaka trashëgiminë time, e lëshova të dashurën e shpirtit tim në duart e armiqve të mi.
8
Trashëgimia ime sillet me mua si luani në pyll. Ngriti zërin kundër meje, prandaj e përbuz.
9
Vallë, zog grabitqar larosh është trashëgimia ime për mua? Le ta rrethojnë zogjtë grabitqarë. Shkoni, mblidhni mbarë kafshët e egra e sillini të hanë.
10
Barinj të shumtë e dëmtuan vreshtin tim, e shkelmuan arën time, arën time të dashur e kthyen në djerrinë të shkretë.
11
E kthyen në dhe të shkretë e ashtu e shkretë më qahet mua. E shkretë është mbarë toka, se askush nuk e ka për zemër.
12
Në të gjitha rrahet e shkretëtirës rendin shkatërrimtarët, se shpata e Zotit përlan nga njëri skaj i tokës në skajin tjetër e s'ka paqe për asnjë gjallesë.
13
Mbollën drithë e korrën driza, u munduan e gjë s'fituan, do të turpërohen me të korrat e veta, për shkak të zemërimit të flaktë të Zotit.
14
Kështu thotë Zoti: «Në lidhje me të afërmit e mi të mbrapshtë, të cilët prekin trashëgiminë që i dhashë popullit tim Izraelit, ja, do t'i zhbij nga mbarë dheu i tyre e do të shkul edhe shtëpinë e Judës nga mesi i tyre.
15
Por, pasi t'i kem shkulur, do të kthehem, do t'i përdëllej e do t'i kthej secilin te trashëgimia e vet dhe te toka e vet.
16
Pastaj, nëse mësojnë udhët e popullit tim dhe betohen në emrin tim: “Pasha Zotin e gjallë”, siç kishin mësuar popullin tim të betohej për Baalin, atëherë do të zënë vend në mes të popullit tim.
17
Nëse nuk do të dëgjojnë, do ta zhbij atë komb e do ta zhduk, kumton Zoti ».
← Chapter 11
Chapter 13 →