bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Isaiah 9
Isaiah 9
albanian-2018
1
Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe, mbi ata, që banonin në vendin e territ, shkëlqeu drita.
2
Ti e madhështove atë komb, gëzimin ia shtove, gëzojnë para teje, siç gëzojnë gjatë korrjes, siç gëzojnë kur ndajnë prenë.
3
Se ti e theve zgjedhën që u rëndonte, purtekën që mbi shpatulla u rrinte, skeptrin e atij që i shtypte e copëtove si në ditën e Midianit.
4
Çdo këpucë luftëtari që marshon e çdo gunë e lyer në gjak do të digjet e do të bëhet dru për zjarr.
5
Se na lindi një fëmijë, një djalë na u dha, mbi supet e tij qëndron sundimi. Emrin do ta ketë: «Këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i amshuar, princ i paqes».
6
I madh do të jetë sundimi i tij e paqja nuk do të ketë fund mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij. Do të zërë rrënjë e do të forcohet në të drejtë e drejtësi, që tani e deri në amshim. E këtë ka për ta bërë zelli i Zotit të ushtrive.
7
Zoti dërgoi fjalë kundër Jakobit e ajo ra mbi Izraelin.
8
E mori vesh mirë mbarë populli, Efraimi bashkë me banorët e Samarisë, që me krenari e mburrje në zemër thanë:
9
«Tullat vërtet kanë rënë, por do të ndërtojmë me gurë të latuar, fiqtë vërtet na i kanë prerë, por do t'i zëvendësojmë me cedra».
10
E Zoti ngriti kundër tyre armiqësinë e Recinit, kundërshtarët e tyre për luftë i nxiti.
11
Arami nga lindja e filistinët nga perëndimi hapën gojën për ta përpirë Izraelin. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë.
12
Por populli nuk u kthye tek ai që i goditi, Zotin e ushtrive nuk e kërkoi.
13
Prandaj Zoti i preu Izraelit kokën e bishtin, degën e palmës e kallamin, në një ditë të vetme.
14
Pleqësia e paria janë koka, profeti e mësuesi i rremë janë bishti.
15
Udhëheqësit e këtij populli e ngashënjyen në mashtrim dhe ata që udhëhiqeshin prej tyre u çoroditën.
16
Prandaj Zoti s'do të jetë i kënaqur me të rinjtë e tij, s'do të tregojë mëshirë për jetimët e vejushat e tij, se të gjithë janë të pafe e të paudhë, çdo gojë thotë veç marrëzi. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë.
17
Se paudhësia është ndezur flakë si zjarri, ka përpirë ferrat bashkë me shkurret, në mes të pyllit të dendur është ndezur, shtëllunga-shtëllunga ngrihet tymi lart.
18
Prej zemërimit të Zotit të ushtrive u përvëlua toka, populli u bë si druri që ushqen zjarrin e askush nuk kursen as vëllanë e vet.
19
Përpin djathtas, por ende ka uri, përlan majtas, por ende nuk ngopet, secili gëlltit mishin e të afërtit të vet.
20
Manaseu Efraimin, Efraimi Manaseun dhe tok janë kundër Judës. E megjithëkëtë zemërimi i tij nuk u fashit e krahu i tij mbeti i shtrirë.
← Chapter 8
Chapter 10 →