bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Isaiah 44
Isaiah 44
albanian-2018
1
E tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im, dhe ti, o Izrael, i zgjedhuri im.
2
Kështu thotë Zoti, që të krijoi, që të dha trajtë që në ngjizje, ndihmëtari yt: mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob, o Jeshurun, i zgjedhuri im.
3
Se do të dikoj ujëra mbi tokë të etur, përrenj në tokë të thatë, shpirtin tim do të dikoj mbi farën tënde, bekimin tim mbi pasardhësit e tu.
4
Do të rriten ata mes barit, si shelgjet pranë rrjedhave të ujit.
5
Njëri do të thotë: «I Zotit jam unë», tjetri do të mbajë emrin e Jakobit. Një tjetër do të shkruajë me dorën e vet: «I Zotit jam» dhe emrin e Izraelit do të mbajë.
6
Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit, shpenguesi i tij, Zoti i ushtrive: unë jam i pari dhe unë jam i fundit, Perëndi tjetër veç meje s'ka!
7
Kush është si unë? Le ta thotë fort! Le ta shpallë e të ma parashtrojë! Siç i parathashë gjëra të së ardhmes një populli të lashtë, le t'u parathotë edhe ai gjëra që do të ndodhin.
8
Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk jua shpalla e s'jua thashë që më parë? Ju jeni dëshmitarët e mi! A ka Perëndi tjetër veç meje? Tjetër Shkëmb nuk ka e unë nuk njoh askënd.
9
Punuesit e idhujve janë të gjithë një hiç, veprat e tyre të çmuara s'vlejnë asgjë, dëshmitarët e tyre as shohin, as marrin vesh, e kështu do të turpërohen.
10
Kush punoi ndonjë hyjni apo shkriu ndonjë idhull, pa kërkuar përfitim?
11
Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar, se punuesit e tyre s'janë veçse njerëz, le të mblidhen të gjithë bashkë e të dalin para, do të dridhen të gjithë e do të turpërohen.
12
Farkëtari e punon hekurin me darë në zjarr, trajtën ia jep me çekiçë, e rreh me krahun e tij të fuqishëm. E merr mandej uria dhe e lënë fuqitë, ujë nuk pi dhe lodhet e këputet.
13
Gdhendësi e shtrin fijen për të matur drurin, dhe i vë shenjat me laps, e punon drurin me daltë, me rrethor ia shënon anët. I jep mandej trajtë njeriu, një pamje të bukur njeriu, për ta vënë në një tempull.
14
Pret për vete disa cedra, merr qiparis e dru lisi, shkon e zgjedh dru në pyll, mbjell cedër dhe shiu e rrit.
15
Ato i janë dhënë njeriut për t'i djegur, merr njeriu ndonjë prej tyre e ngrohet, ndez zjarrin e pjek bukën. Por bën edhe ndonjë hyjni e përkulet para saj, bën ndonjë idhull e bie përmbys para tij.
16
Me gjysmën e druve ndez zjarrin, me gjysmën tjetër pjek mishin e ha, e pjek mirë mishin e kënaqet. Ngrohet mirë e thotë: «Sa mirë po ngrohem! Po kënaqem me zjarrin».
17
Me ç'i ngel bën edhe ndonjë hyjni, që ta ketë si idhull. Përkulet para tij dhe e adhuron, i lutet e i thotë: «Shpëtomë, se ti je perëndia im».
18
As dinë e as kuptojnë, sytë u janë verbuar, që të mos shohin e zemra e tyre të mos kuptojë.
19
Askush nuk i thërret mendjes, as dinë e as kuptojnë, që të thonë: «Gjysmën e drurit e dogja në zjarr. Poqa bukën mbi prush, poqa mishin dhe e hëngra, e me gjysmën tjetër bëra këtë fëlliqësi. Para punës së drurit do të përkulem vallë?».
20
Ushqehet me hi, e shmang nga udha zemra e tij e mashtruar, nuk di të çlirohet e të thotë: «A nuk është vallë gjë e rreme kjo që mbaj në të djathtën time?».
21
Kujtoji këto, o Jakob, edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im! Unë të dhashë trajtë, shërbëtori im je ti, nuk do të të harroj, o Izrael.
22
I fshiva shkeljet e tua si retë e zeza, mëkatet e tua porsi mjegullën, kthehu tek unë, sepse unë të shpengova.
23
Ngazëlloni, o qiej, se veproi Zoti, gëzohuni, o thellësi të tokës, merrjani këngës së lavdërimit, o male, edhe ju, o pyje e çdo pemë e tyre, se Zoti e shpengoi Jakobin e në Izrael shfaqi lavdinë.
24
Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt, ai që të dha trajtë që në bark të nënës: unë jam Zoti, ai që krijoi gjithçka, që i vetëm i ndehu qiejt, e tokën rrafsh e shtriu! Kush, pra, qe me mua?
25
Unë i bëj të kota parashikimet e shortarëve, magjistarët i bëj të marrë, njerëzit e urtë i bëj të sprapsen, dijen e tyre e kthej në marrëzi.
26
Unë e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim, shestimet e të dërguarve të mi i përmbush, Unë i them Jerusalemit se do të ketë banorë, qyteteve të Judës se do të rindërtohen e rrënojat e saj do të ringrihen.
27
Unë i them humnerës së detit: «Thahu, lumenjtë e tu kam për t'i shterur».
28
Unë them për Kirin: «Ai është bariu im, gjithçka që unë dua do ta çojë ai në vend». Unë i them Jerusalemit: «Ndërtohu!», i them tempullit: «Ngriji sërish themelet!».
← Chapter 43
Chapter 45 →