bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Isaiah 36
Isaiah 36
albanian-2018
1
Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të Ezekisë, Sankeribi, mbreti i Asirisë, sulmoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.
2
Mbreti i Asirisë dërgoi nga Lakishi te mbreti Ezeki në Jerusalem kreun e ushtrisë me një ushtri të madhe. Ai u ndal tek ujësjellësi i pellgut të sipërm që gjendet në udhën që të çon në Arën e Rrobalarësit.
3
Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, dolën për ta takuar.
4
Kreu i ushtrisë së Asirisë u tha: «Thuajini Ezekisë: kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku e gjen gjithë këtë besim?
5
Them se fjalët e gojës janë këshillimi e forca që duhen për luftë. Ku e ke varur shpresën, që guxon të ngresh krye kundër meje?
6
Mos shpreson gjë tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, mbi të cilin, nëse mbështetet njeri, i çahet e i shpohet dora? I tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për ata që shpresojnë tek ai.
7
Apo mos do të më thuash se shpreson te Zoti, Perëndia juaj? Por, a nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën e Jerusalemin të adhuronin vetëm para këtij altari në Jerusalem?
8
E tani, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë: ai të jep dy mijë kuaj, po arrite të gjesh kalorës për ta.
9
E si do ta mundësh qoftë edhe qeveritarin më të vogël të zotërisë tim? Apo shpreson tek Egjipti për kuaj e kalorës?
10
A mos kujton se kam ardhur pa dëshirën e Zotit për ta shkatërruar këtë tokë? Zoti vetë më tha ta sulmoja këtë tokë e ta shkatërroja».
11
Atëherë Eliakimi, Shebnau e Joahu i thanë kreut të ushtrisë: «Të lutemi, fol aramaisht me ne, shërbëtorët e tu, se e kuptojmë, e mos fol judaisht, se të dëgjon populli, që është mbi mure».
12
Por kreu i ushtrisë u tha: «Mendoni se zotëria im më dërgoi t'ua them këto fjalë vetëm juve e zotërisë suaj? Le t'i dëgjojnë edhe këta burra që rrinë mbi mure, sepse së shpejti kanë për të ngrënë bashkë me ju jashtëqitjet e veta dhe për të pirë shurrën e vet».
13
Atëherë u ngrit kreu i fushimit të Asirisë, foli me zë të lartë në judaisht e tha: «Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë!
14
Kështu thotë mbreti: “Të mos ju gënjejë Ezekia, se nuk do t'ju shpëtojë dot nga dora ime.
15
Mos e lejoni t'ju bëjë të shpresoni te Zoti, kur t'ju thotë se do të na shpëtojë patjetër Zoti dhe se ky qytet nuk ka për të rënë në duart e mbretit të Asirisë”.
16
Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: “Bëni paqe me mua e dorëzohuni tek unë dhe secili do të hajë prej vreshtit të vet e prej fiqve të vet e do të pijë ujë prej pusit të vet,
17
derisa të vij e t'ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, në një vend plot drithë e verë, në një tokë buke e vreshtash.
18
Ezekia ju mashtron kur ju thotë se do t'ju shpëtojë Zoti. Cilin prej kombeve shpëtuan perënditë e tyre nga dora e mbretit të Asirisë?
19
Ku janë perënditë e Hamatit e Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A mos e shpëtuan Samarinë prej dorës sime?
20
Kush nga tërë perënditë e këtyre vendeve e shpëtoi vendin e tyre nga dora ime, që ta shpëtuaka Zoti Jerusalemin nga duart e mia?”».
21
Ata heshtën e nuk i kthyen asnjë përgjigje, se mbreti kishte urdhëruar të mos i përgjigjeshin.
22
Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, u kthyen tek Ezekia, shqyen rrobat e i treguan fjalët e kreut të ushtrisë së Asirisë.
← Chapter 35
Chapter 37 →