bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Ezekiel 18
Ezekiel 18
albanian-2018
1
Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:
2
«Çfarë keni që thoni në dheun e Izraelit këtë thënie: “Rrushin e thartë e hëngrën etërit, por dhëmbët iu mpinë bijve”?
3
Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, nuk do ta thoni kurrë më këtë thënie në Izrael.
4
Ja, të gjithë shpirtrat më përkasin mua. Mua më përket si jeta e atit, ashtu edhe jeta e birit. Ai që do të mëkatojë, ai edhe do të vdesë.
5
Nëse një njeri është i drejtë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë,
6
nëse nuk ha mbi male dhe nuk i ngre sytë drejt idhujve të shtëpisë së Izraelit, nëse nuk e fëlliq gruan e të afërtit e nuk i afrohet asnjë gruaje me të përmuajshme,
7
nëse nuk i bën trysni askujt, por ia kthen pengun detyruesit, nëse nuk plaçkit, por i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin,
8
nëse nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitim, por zbaton drejtësinë e vërtetë mes njerëzve,
9
ndjek vendimet e mia dhe vepron me besnikëri, ai është i drejtë e do të jetojë, kumton Zoti im, Zoti.
10
Por, nëse i lind djali mujshar e gjakderdhës, që kryen ndonjë veprim të tillë,
11
ndonëse ai vetë nuk kishte bërë asnjë nga këto, i biri, për më tepër, ha mbi male, fëlliq gruan e të afërtit,
12
i bën trysni skamnorit e nevojtarit, plaçkit, nuk e kthen pengun, i ngre sytë drejt idhujve, kryen pështirësi,
13
jep hua me kamatë dhe merr përfitimin, a do të jetojë vallë i biri? Ai nuk do të jetojë. I bëri të gjitha këto pështirësi, do të vdesë patjetër e gjaku i vet do të bjerë mbi të.
14
Por, nëse i lind një djalë, i cili sheh të gjitha mëkatet që ka bërë i ati, i sheh, por nuk vepron njësoj,
15
nuk ha mbi male, nuk i ngre sytë drejt idhujve të Izraelit, nuk e fëlliq gruan e të afërtit,
16
nuk bën trysni, nuk e mban pengun, nuk plaçkit, i jep bukë të uriturit dhe e mbulon me petk të zhveshurin,
17
heq dorë nga paudhësia, nuk jep hua me kamatë e nuk merr përfitimin, zbaton vendimet e mia dhe ndjek rregullat e mia, ai nuk do të vdesë për faj të të atit, por do të jetojë patjetër.
18
Ndërsa i ati që e ka zhvatur e vjedhur vëllanë dhe ka bërë çfarë nuk është e mirë mes popullit të vet, ja, ai do të vdesë për faj të vet.
19
Ju thoni: “Pse nuk e mbart biri fajin e të atit?”. Sepse i biri zbaton të drejtën e drejtësinë, mban të gjitha rregullat e mia dhe i zbaton, prandaj do të jetojë.
20
Shpirti që mëkaton, ai do të vdesë. Biri nuk do të mbajë fajin e të atit, as ati fajin e të birit. Mbi të drejtin do të mbetet drejtësia dhe mbi të ligun do të mbetet ligësia.
21
Por, nëse i paudhi heq dorë nga të gjitha mëkatet që ka bërë, mban të gjitha rregullat e mia dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, ai do të jetojë e nuk do të vdesë.
22
Nuk do t'i kujtohet më asnjë shkelje që ka bërë, por do të jetojë në saje të drejtësisë që ka zbatuar.
23
A kënaqem unë me vdekjen e të paudhit, kumton Zoti im, Zoti, apo që ai të heqë dorë nga sjellja e tij e të jetojë?
24
Por, nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, si të gjitha pështirësitë që bën i paudhi, a do të jetojë vallë ai? Asnjë gjë e drejtë që pati bërë nuk do t'i mbahet mend, por për shkak të pabesisë që kreu e të mëkatit që bëri, ai do të vdesë.
25
Ju thoni: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Dëgjoni, pra, o shtëpia e Izraelit: nuk është e drejtë sjellja ime apo nuk është e drejtë sjellja juaj?
26
Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. Për shkak të padrejtësisë që bëri do të vdesë.
27
Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia që ka bërë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, shpirti i tij do të jetojë.
28
E vuri re, u largua nga të gjitha shkeljet që kishte kryer, prandaj do të jetojë e nuk do të vdesë.
29
Por shtëpia e Izraelit thotë: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Nuk është e drejtë sjellja ime, o shtëpia e Izraelit, apo nuk është e drejtë sjellja juaj?
30
Prandaj do ta gjykoj secilin sipas sjelljes së vet, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti im, Zoti. Hiqni dorë e kthehuni nga të gjitha shkeljet tuaja e nuk do t'ju pengojë më faji juaj.
31
Shporrini prej jush të gjitha shkeljet që keni bërë dhe bëni një zemër të re e një shpirt të ri. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit?
32
Unë nuk kënaqem me vdekjen e askujt, kumton Zoti im, Zoti, prandaj pendohuni e jetoni».
← Chapter 17
Chapter 19 →