bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Deuteronomy 32
Deuteronomy 32
albanian-2018
1
«Mba vesh, o qiell, se do të flas, dëgjoji, o tokë, fjalët e gojës sime.
2
U derdhtë mësimi im si shiu, pikoftë kumti im si vesa, si pikëlimi mbi bar, si rrebeshi mbi livadh.
3
Emrin e Zotit do ta shpall. Madhërojeni Perëndinë tonë!
4
Shkëmb ai, të përsosura veprat e tij, të drejta të gjitha udhët e tij. Perëndi besnik, në të nuk ka padrejtësi. I drejtë e i vërtetë është ai.
5
Kjo brezni e shthurur dhe e mbrapshtë mëkatoi kundër tij e për faj të vet bij të tij nuk janë.
6
A kështu ia shpërblen Zotit, o popull i marrë e i pamend? A s'është ati yt, që të krijoi, ai që të bëri e të themeloi?
7
Kujto kohët e moçme, shqyrto vitet e breznive të hershme, pyet tët atë e ai do të të tregojë, pyet pleqtë e ata do të të rrëfejnë.
8
Kur i Tejlarti u dha kombeve trashëgimi, kur njerëzimin ai e ndau, kufijtë e popujve i caktoi, sipas numrit të bijve të Izraelit.
9
Pjesë e Zotit është populli i tij, Jakobi, trashëgimia e tij.
10
E gjeti në një vend të shkretë, në një djerrinë ku humbëtira jehon. E përqafoi e për të u kujdes, e ruajti si beben e syrit.
11
Porsi shqiponja që folenë vrojton, e mbi zogjtë e saj flatron. Zoti krahët i shtriu, e kapi, e mbi vete e mbarti.
12
I vetëm Zoti e udhëhoqi, asnjë perëndi i huaj nuk ishte me të.
13
E vuri të kalërojë mbi bjeshkët e dheut e prodhime fushe ai hëngri. E mëkoji me mjaltë prej shkëmbi, me vaj prej shkrepit të strallit,
14
me gjalpë gjedhi e qumësht dhensh, me dhjamë qengjash e deshësh, me qe Bashani e cjep, bashkë me drithë të përzgjedhur. Gjak rrushi, ti porsi verë pive.
15
Por Jeshuruni u majm e hodhi vickla, u majm, u dend e u trash, harroi Perëndinë që e krijoi, përçmoi shkëmbin që e shpëtoi.
16
E bënë xheloz, me hyjni të huaja, me poshtërsi e ngucën.
17
U kushtuan fli djajve e jo Perëndisë, perëndive që s'i njihnin, perëndive të sapoardhur, që as etërit tuaj nuk i kishin frikë.
18
Shkëmbin që të lindi e harrove, e le mënjanë Perëndinë që të dha jetë.
19
Zoti e pa dhe i përbuzi, se e ngucën bijtë e bijat e veta.
20
“Do ta fsheh fytyrën”, tha, “Do të shoh ç'fund do të kenë, se janë brezni e mbrapshtë, fëmijë të pabesë.
21
Me perëndi të paqena më bënë xheloz, me kotësi më ngucën. Ndaj dhe unë, xhelozë do t'i bëj, me një popull të paqenë, e me një komb të pamend do t'i nguc.
22
Se flakë m'u ndez zemërimi, flakë që djeg skëterrën thellë, që përzhit tokë e fryt, që me themel malet i shkrumbon.
23
Me ligësi do t'i kaploj, shigjetat mbi ta do t'i shteroj.
24
Do të veniten nga uria, do të sharrojnë nga murtaja e nga i hidhuri shfarim. Do të çoj bisha për t'i shqyer me dhëmbë, bashkë me helmin e zvarritësit të pluhurit.
25
Do t'i grijë përjashta shpata e brenda lemeria, të riun, edhe vashën, foshnjën bashkë me burrin plak.
26
Copë-copë, thashë t'i bëja, fshirë nga kujtesa e njerëzve,
27
por druaj se armiqtë do të mburreshin, do të gënjeheshin kundërshtarët e do të thoshin: ‘Dora jonë, ajo ngadhënjeu, të gjitha këto nuk i bëri Zoti ’”.
28
Popuj ku arsyeja ka marrë fund, ku gjykimi s'ka më vend.
29
Në ishin të urtë, do ta kuptonin, do ta merrnin vesh fundin që i pret.
30
Si mundet njëri të ndjekë një mijë e dy të zmbrapsin mijëra, po mos qe Shkëmbi që i shiti, Zoti që i dorëzoi?
31
Se shkëmbi i tyre s'është si i yni, kështu mendojnë edhe armiqtë tanë.
32
Hardhia e tyre, hardhi Sodome, prej vreshtave të Gomorrës. Rrushi i tyre, rrush helmi, vilet të hidhura i kanë.
33
Vera e tyre, vrer gjarpërinjsh, helm i tmerrshëm shlligash.
34
A nuk i kam ruajtur këto pranë vetes, a nuk i kam kyçur në visaret e mia?
35
Derisa të vijë dita e hakmarrjes dhe e shpagimit, derisa këmba t'u rrëshqasë, se afër është dita e shkatërrimit, fati i tyre shpejt nxiton.
36
Zoti do të bëjë drejtësi për popullin e tij, do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e tij, kur të shohë se e lanë fuqitë e se s'ka më rob e të lirë.
37
Veçse ai do të thotë: “Ku janë perënditë e tyre, shkëmbi ku kërkonin strehë,
38
ata që hëngrën dhjamin e flijuar dhe pinë verën e blatuar? Të ngrihen, pra, e t'ju shpëtojnë, ata t'ju strehojnë”.
39
Shikoni, pra, se unë e vetëm unë jam Perëndi, e krah meje s'ka tjetër. Unë vras e kthej në jetë, unë gjymtoj e shëroj. Prej meje s'ka kush të të shpëtojë.
40
Dorën ngre drejt qiellit e betohem: “Pasha jetën time të amshuar,
41
do ta mpreh shpatën që vezullon, do ta rrokë dora ime gjykimin, do t'u hakmerrem armiqve, e hasmit do t'ia shpërblej.
42
Me gjak do t'i deh shigjetat e mia, me mish shpatën do ta ngop, me gjakun e të vrarëve e të robërve, me kokat e prijësve armiq”.
43
Ngazëlloni, o kombe, me popullin e tij, se e shpagoi gjakun e shërbëtorëve të tij, kundërshtarëve ua shpërbleu, e shleu tokën e popullit të tij».
44
Atëherë Moisiu shkoi bashkë me Hosenë, birin e Nunit dhe këndoi të gjithë këtë këngë, që populli ta dëgjonte.
45
Kur e mbaroi këngën para gjithë Izraelit,
46
Moisiu u tha: «Thadrojini në zemër të gjitha këto fjalë që unë po i dëshmoj sot kundër jush. Urdhërojini fëmijët, që t'i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji,
47
sepse nuk janë të kota. Falë kësaj fjale do të jetoni e do të rroni gjatë në tokën që do të trashëgoni përtej Jordanit».
48
Po atë ditë Zoti i tha Moisiut:
49
«Ngjitu në malin Abarim, në malin Nebo që është në tokën e Moabit, përballë Jerikosë e shikoje tokën e Kanaanit që po u jap izraelitëve për ta pushtuar.
50
Do të vdesësh në malin ku do të ngjitesh. Atje do të bashkohesh me të parët e tu, siç vdiq Aroni në malin Hor e u bashkua me të parët e vet.
51
Ju u treguat të pabesë ndaj meje, në mes të izraelitëve, tek ujërat e Meribë Kadeshit, në shkretëtirën e Cinit, se nuk më shenjtëruat në mes të izraelitëve.
52
Do ta shohësh tokën nga larg, por nuk do të hysh në të, në vendin që unë po u jap izraelitëve».
← Chapter 31
Chapter 33 →