bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
1 Chronicles 16
1 Chronicles 16
albanian-2018
1
E sollën arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi para Perëndisë.
2
Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit e të paqtimit, e bekoi popullin në emër të Zotit
3
dhe u shpërndau të gjithë izraelitëve, burra e gra, nga një rrotull buke, nga një kulaç hurmash e nga një kulaç rrushi të thatë.
4
Pastaj disa nga levitët i caktoi të shërbenin pranë arkës së Zotit, që të përkujtonin, të falënderonin e të lëvdonin Zotin, Perëndinë e Izraelit.
5
Kryetari ishte Asafi e pas tij vinin Zakaria, Jejeli, Shemiramoti, Jehieli, Matitjahu, Eliabi, Benajahu, Obed Edomi e Jejeli, të cilët u binin lirave e harpave, ndërsa Asafi u binte cimbaleve.
6
Priftërinjtë Benajah e Jahaziel u binin borive përherë para arkës së besëlidhjes së Perëndisë.
7
Atë ditë Davidi caktoi së pari që Asafi e vëllezërit e tij t'i thurnin Zotit këto falënderime:
8
Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij, shpallni mes popujve veprat e tij.
9
Këndojini atij e thurini lavde, kumtoni të gjitha mrekullitë e tij.
10
Krenohuni me emrin e tij të shenjtë, e zemra i ngazëlleftë kujtdo që kërkon Zotin.
11
Kërkojeni Zotin e fuqinë e tij, kërkoni përherë fytyrën e tij.
12
Kujtoni mrekullitë që bëri, çuditë e gjykimet e gojës së tij,
13
o pasardhës të Izraelit, shërbëtorit të tij, bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.
14
Ai është Zoti, Perëndia ynë, mbi mbarë dheun vendimet e tij.
15
Kujtojeni përherë besëlidhjen e tij, fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,
16
besëlidhjen që bëri me Abrahamin, premtimin që i dha Isakut.
17
Ia caktoi si rregull Jakobit, Izraelit si besëlidhje përjetë,
18
kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit si pjesë të trashëgimisë suaj»,
19
kur ishit të hequr në numër, të paktë e ardhacakë,
20
tek endeshin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një tjetër popull.
21
Nuk lejoi t'i shtypte askush, mbretërit për hir të tyre i qortoi:
22
«Mos m'i prekni të vajosurit, profetët e mi mos i lëndoni».
23
Le t'i këndojë Zotit dheu mbarë, shpëtimin e tij përditë kumtoni.
24
Ndër kombe rrëfejeni lavdinë e tij, mrekullitë e tij ndër popuj mbarë,
25
se i madh është Zoti e fort i lavdërueshëm, më i tmerrshëm se të gjithë perënditë.
26
Se mbarë perënditë e popujve janë të kotë, por Zoti bëri qiejt.
27
Shkëlqim e madhështi para tij, në vendin e tij fuqi e hare.
28
Jepini Zotit, o familjet e popujve, jepini Zotit lavdi e fuqi,
29
jepini Zotit lavdinë e emrit të tij! Kushtojini fli e dilni para tij, adhuroni Zotin veshur me shkëlqim.
30
Le të dridhet para tij mbarë toka, se botës i vë themel e ajo nuk do të trandet.
31
Le të ngazëllejë qielli e të gëzojë toka, le të thuhet ndër popuj: « Zoti mbretëron».
32
Le të ushtojë deti me gjithçka në të, e fusha me gjithçka në të le të galdojë.
33
Atëherë do të brohorasin pemët e pyllit para Zotit që vjen për ta gjykuar tokën.
34
Përlëvdoni Zotin, se është i mirë, se mirësia e tij mbetet përjetë.
35
Thoni: «Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë, mblidhna e çlirona nga kombet, që ta falënderojmë emrin tënd të shenjtë, të mburremi duke të të lavdëruar.
36
Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga mot e përgjithmonë!». Mbarë populli u përgjigj: «Amen» e «Lavdi Zotit».
37
Davidi la Asafin e vëllezërit e tij aty, para arkës së besëlidhjes së Zotit, që të shërbenin gjithnjë para arkës, sipas rendit të përditshëm
38
me Obed Edomin dhe gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij. Obed Edomin, birin e Jedutunit, e Hosahun, i caktoi derëtarë.
39
Priftin Cadok e vëllezërit e tij priftërinj i la para tendës së Zotit, në rrafshnaltën e Gibeonit,
40
që t'i kushtonin Zotit fli shkrumbimi në altarin e shkrumbimit pa pushim, mëngjes e mbrëmje, siç është shkruar në ligjin që Zoti i dha Izraelit.
41
Me ta ishin Hemani e Jedutuni, si edhe të tjerët, që ishin zgjedhur e caktuar me emër për të falënderuar Zotin, se i amshuar është përdëllimi i tij.
42
Hemani e Jedutuni kishin bori e cimbale për t'u rënë, si dhe vegla për muzikë hyjnore. Bijtë e Jedutunit ishin caktuar te dera.
43
Atëherë mbarë populli u nis, secili në shtëpinë e vet, ndërsa Davidi u kthye për të bekuar familjen e vet.
← Chapter 15
Chapter 17 →