bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Revelation 21
Revelation 21
albanian-2018
1
Pastaj pashë një qiell të ri e një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më.
2
Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj.
3
Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha: «Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre.
4
Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund».
5
Ai që rrinte ulur në fron tha: «Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!».
6
Dhe shtoi: «U kryen! Unë jam Alfa e Omega, fillimi e mbarimi. Atij që ka etje, do t'i jap të pijë falas nga burimi i ujit të jetës.
7
Ai që fiton, do t'i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri im.
8
Ndërsa frikacakët, të pafetë, ndyrësirat, vrasësit, kurvarët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr e me squfur». Kjo është vdekja e dytë.
9
Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit, e më tha: «Eja të të tregoj nusen, gruan e Qengjit!».
10
Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë.
11
Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor.
12
Ai kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta dhe mbi to qëndronin dymbëdhjetë engjëj. Mbi porta ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.
13
Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi.
14
Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15
Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij.
16
Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dy mijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta.
17
Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu.
18
Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi.
19
Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,
20
i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti.
21
Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm.
22
Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji.
23
Qyteti nuk ka nevojë as për diell e as për hënë që të ndriçohet, sepse atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe pishtari i tij është Qengji.
24
Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e tokës do të sjellin aty lavdinë e tyre.
25
Ditën portat nuk do të mbyllen kurrë dhe atje nuk do të ketë natë.
26
Atje do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve.
27
Në të nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që bën gjëra të pështira a të gënjeshtërta, por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës, libër që i përket Qengjit.
← Chapter 20
Chapter 22 →