bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Numbers 21
Numbers 21
albanian-2018
1
Mbreti kananit i Aradit, që jetonte në Negev, dëgjoi se Izraeli po vinte udhës së Atarimit. Ai i sulmoi e zuri rob disa prej tyre.
2
Atëherë Izraeli iu zotua Zotit: «Nëse ma dorëzon me të vërtetë këtë popull, do t'i rrënoj qytetet e tyre».
3
Zoti e dëgjoi Izraelin dhe ia dorëzoi kananitët. Izraelitët i rrënuan krejt banorët e qytetet e tyre. Kështu, vendi u quajt Hormah.
4
Izraelitët u nisën nga mali Hor rrugës së detit të Kuq për t'i rënë përqark tokës së Edomit. Por rrugës, populli e humbi durimin
5
e foli kundër Perëndisë e Moisiut: «Përse na nxorët nga Egjipti, që të vdesim në shkretëtirë? S'ka bukë, s'ka ujë e kjo bukë e shpifur na u neverit!».
6
Atëherë Zoti dërgoi mes popullit gjarpërinj helmues dhe ata e kafshuan popullin. Shumë prej izraelitëve vdiqën.
7
Populli shkoi te Moisiu e i tha: «Mëkatuam, sepse folëm kundër Zotit e kundër teje. Lutju Zotit që t'i largojë gjarpërinjtë prej nesh». Moisiu u lut për popullin
8
dhe Zoti i tha: «Bëj një gjarpër helmues dhe vendose në një shtyllë. Kushdo që është kafshuar, ta shikojë e ka për të jetuar».
9
Atëherë Moisiu bëri një gjarpër prej bronzi dhe e vendosi mbi një shtyllë. Nëse gjarpri kafshonte dikë, ai vështronte drejt gjarprit prej bronzi dhe jetonte.
10
Izraelitët vijuan udhëtimin e fushuan në Obot.
11
Pastaj u nisën nga Oboti e fushuan në Ijim Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, në lindje.
12
U nisën prej andej e fushuan në luginën e Zeredit.
13
U nisën edhe prej Zeredit e fushuan matanë Arnonit që ndodhet në shkretëtirën përtej kufijve të amoritëve. Arnoni është në kufi me Moabin, mes Moabit e amoritëve,
14
prandaj edhe thuhet në librin e «Luftrave të Zotit »: «Vahebi në Sufa dhe luginat e Arnonit.
15
Rrëpira e luginave që shtrihet drejt banesave të Arit e përqafon kufijtë e Moabit».
16
Prej këndej shkuan në Beer. Ky është pusi ku Zoti i tha Moisiut: «Mblidhe bashkësinë që t'u jap ujë».
17
Dhe Izraeli këndoi këtë këngë: «Gurro, o pus,
18
e ju këndojini pusit që hapën prijësit, që fisnikët e popullit gërmuan, me skeptër e me shkop». Pastaj prej shkretëtirës shkuan në Matanë,
19
prej Matanës në Nahaliel, prej Nahalielit në Bamot,
20
prej Bamotit në luginën që është në vendin e Moabit, në majë të Pisgahut prej nga shihet Jishmoni.
21
Izraeli dërgoi disa lajmëtarë te Sihoni, mbreti i amoritëve, e i tha:
22
«Më lër të kaloj përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë as nëpër ara e as nëpër vreshta, as nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore derisa të kalojmë përtej kufijve të tu».
23
Por Sihoni nuk e la të kalojë përmes tokës së tij. Ai mblodhi tërë popullin dhe i doli para në shkretëtirë. Mbërriti në Jahac dhe e sulmoi.
24
Por Izraeli e shkoi në teh të shpatës dhe e pushtoi tokën e tij, nga Arnoni deri në Jabok, deri te pasardhësit e Amonit, sepse kufijtë e amonitëve ishin të mbrojtur mirë.
25
Izraeli i pushtoi të gjitha këto qytete amorite e banoi në to, në Heshbon dhe në të gjitha rrethinat.
26
Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar kundër mbretit të mëparshëm të Moabit dhe ia kishte pushtuar tërë vendin që zotëronte, deri në Arnon.
27
Prandaj dhe rapsodët thoshin: «Ejani në Heshbon! Të ndërtohet e themelohet qyteti i Sihonit.
28
Zjarr shpërtheu prej Heshbonit, flakë prej qytetit të Sihonit. E përpiu Arin e Moabit, i përlau majat e Arnonit.
29
Mjerë ti, o Moab! Kaq e pate, o popull i Kemoshit! Djemtë e tu i bëre ikanakë, vajzat e tua robinja të Sihonit, mbretit të amoritëve.
30
Me shigjeta i qëlluam. Heshboni deri në Dibon u shkatërrua. E rrënuam derisa zjarri u përhap në Medebë».
31
Kështu, Izraeli banoi në tokën e amoritëve.
32
Atëherë Moisiu dërgoi disa njerëz që të përgjojnë Jazerin. Ata i pushtuan rrethinat e Jazerit e i dëbuan amoritët që ishin atje.
33
Izraelitët u kthyen e shkuan rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin, u doli përpara në Edrej, që të ndeshej me ta.
34
Zoti i tha Moisiut: «Mos e ki frikë, se ta kam dorëzuar atë, gjithë popullin dhe tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon».
35
Kështu, izraelitët i ranë aq fort Ogut, bijve e gjithë popullit të tij, sa askush nuk shpëtoi. Ata e pushtuan tokën e tij.
← Chapter 20
Chapter 22 →