bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Luke 9
Luke 9
albanian-2018
1
Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet.
2
Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët.
3
Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika.
4
Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty.
5
Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre».
6
Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.
7
Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve,
8
disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër.
9
Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.
10
Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë.
11
Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.
12
Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë».
13
Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?».
14
Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!».
15
Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë.
16
Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t'ia shtronin turmës.
17
Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.
18
Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?».
19
Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër».
20
Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».
21
Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë
22
e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.
23
Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë.
24
Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë.
25
Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten?
26
Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia.
27
Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë».
28
Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t'u lutur.
29
Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese.
30
Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia
31
që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.
32
Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të.
33
Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte.
34
Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika.
35
Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!».
36
Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.
37
Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe.
38
Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm!
39
Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij.
40
Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën».
41
Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sille këtu tët bir!».
42
Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit.
43
Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë. Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve:
44
«Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve».
45
Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.
46
Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi.
47
Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë.
48
Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».
49
Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne».
50
Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju».
51
Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem
52
dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin,
53
por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit.
54
Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t'i përpijë?».
55
Por Jezui u kthye e i qortoi.
56
Pastaj shkuan në një fshat tjetër.
57
Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh».
58
Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
59
Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!».
60
Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë».
61
Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë».
62
Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».
← Chapter 8
Chapter 10 →