bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Jeremiah 37
Jeremiah 37
albanian-2018
1
Sedekia, biri i Josisë, u bë mbret në vend të Konjahut, birit të Jehojakimit. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e bëri mbret në tokën e Judës.
2
Megjithatë, as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që kishte shpallur Zoti me anë të profetit Jeremi.
3
Mbreti Sedeki dërgoi te Jeremia Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofoni, birin e Masejahut, për t'i thënë: «Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë».
4
Jeremia hynte e dilte në popull, se nuk e kishin futur ende në burg.
5
Ushtria e faraonit kishte dalë nga Egjipti dhe kaldenjtë, që e kishin rrethuar Jerusalemin, sapo e morën vesh, u larguan nga Jerusalemi.
6
Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremi e i tha:
7
«Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Kështu thuaji mbretit të Judës, që të dërgoi tek unë, për të më pyetur, se, ja, ushtria e faraonit, që erdhi për t'ju ndihmuar, po kthehet në Egjipt, në tokën e vet.
8
Atëherë do të kthehen kaldenjtë, do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta pushtojnë e do ta djegin me zjarr”.
9
Kështu thotë Zoti: mos e gënjeni veten duke thënë: “Kaldenjtë do të largohen nga ne”, se ata nuk do të largohen.
10
Se, edhe nëse e shpartalloni mbarë ushtrinë e kaldenjve, që po lufton kundër jush, e nëse mbeten ndër ta vetëm të plagosurit, secili do të ngrihej nga tenda e vet e do t'i vinte zjarrin këtij qyteti».
11
Kur ushtria e kaldenjve u largua nga Jerusalemi, për shkak të ushtrisë së faraonit,
12
Jeremia doli nga Jerusalemi për të shkuar në tokën e Benjaminit, për të marrë pjesën që i takonte mes popullit.
13
Kur ishte te porta e Benjaminit, një përgjegjës i rojtarëve me emrin Irijah, biri i Shelemiahut, të birit të Hahanjahut, e kapi profetin Jeremi e i tha: «Po kalon me kaldenjtë».
14
Jeremia u përgjigj: «Gënjeshtër! Nuk po kaloj me kaldenjtë». Por Irijahu nuk e dëgjoi. E kapi Jereminë dhe e çoi te prijësit.
15
Prijësit ishin të zemëruar me Jereminë. E rrahën dhe e futën në burg, në shtëpinë e shkruesit Jonatan, të cilën e kishin kthyer në burg.
16
Pasi Jeremia kishte hyrë në sternë, në një qeli, dhe kishte ndenjur aty shumë ditë,
17
mbreti Sedeki çoi njerëz për ta marrë dhe mbreti e pyeti fshehurazi, në pallatin e vet: «A ka ndonjë fjalë nga Zoti?». Jeremia u përgjigj: «Ka» dhe tha: «Ti do të biesh në dorë të mbretit të Babilonisë».
18
Pastaj Jeremia i tha mbretit Sedeki: «Çfarë mëkati kam bërë kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu e kundër këtij populli, që më keni futur në burg?
19
E ku janë profetët tuaj që profetizonin për ju e thoshin: “Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush e kundër kësaj toke”?
20
Tani dëgjo, imzot mbret, mbaje parasysh lutjen time. Mos më kthe në shtëpinë e shkruesit Jonatan, që të mos vdes atje».
21
Mbreti Sedeki dha urdhër ta vinin Jereminë në tremen e burgut. I jepnin çdo ditë një kulaç bukë nga Rruga e Furrtarëve, deri kur mbaroi tërë buka në qytet. Kështu, Jeremia mbeti në tremen e burgut.
← Chapter 36
Chapter 38 →