bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Jeremiah 32
Jeremiah 32
albanian-2018
1
Fjala që iu drejtua Jeremisë nga Zoti në vitin e dhjetë të Sedekisë, mbretit të Judës, në vitin e dymbëdhjetë të Nabukodonosorit.
2
Në atë kohë ushtria e mbretit të Babilonisë e kishte rrethuar Jerusalemin dhe profeti Jeremi gjendej i mbyllur në tremen e rojës, në pallatin e mbretit të Judës.
3
E kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, pasi i kishte thënë: «Pse profetizon e thua: “Kështu thotë Zoti: ja, po e lë këtë qytet në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta pushtojë.
4
Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga dora e kaldenjve, por do t'i dorëzohet mbretit të Babilonisë, do të flasë me të ballë për ballë e do ta shohë sy më sy.
5
Ai do ta marrë Sedekinë në Babiloni e Sedekia do të rrijë atje derisa ta takoj unë, kumton Zoti. Edhe po të luftoni kundër kaldenjve, nuk do t'ia dilni”».
6
Jeremia tha: «Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha:
7
ja, do të vijë te ti Hanameli, biri i Shalumit, ungjit tënd, për të të thënë: “Bli për vete arën time në Anatot, se të takon ty ta blesh, sipas së drejtës së riblerjes”.
8
Hanameli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në tremen e rojës, sipas fjalës së Zotit, e më tha: “Blije arën time në Anatot, në tokën e Benjaminit, se të takon ty e drejta e pronës dhe e riblerjes. Blije për vete”. Atëherë e mora vesh se ajo kishte qenë fjala e Zotit.
9
Ia bleva Hanamelit, birit të ungjit tim, arën në Anatot dhe i pagova paratë: shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.
10
Nënshkrova fletëblerjen, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova argjendin në kandar.
11
Pastaj mora fletëblerjen, të vulosur sipas rregullit e ligjit, dhe një tjetër të pambyllur.
12
Ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, në sytë e Hanamelit, kushëririt tim, në sytë e dëshmitarëve që e kishin nënshkruar fletën e blerjes dhe në sytë e të gjithë judenjve që gjendeshin në tremen e rojës.
13
Pastaj e urdhërova Barukun në sytë e të gjithëve e i thashë:
14
“Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: merri këto fletë, këtë fletëblerje, të vulosurën e të pambyllurën, dhe vëri në një enë balte, që të ruhen për shumë kohë.
15
Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të blihen shtëpi, ara e vreshta në këtë tokë”.
16
Pasi ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit e thashë:
17
“Ah, Zot, Zoti im! Ti bëre qiellin e tokën me fuqinë tënde të madhe e me krah të shtrirë. Asgjë nuk është e vështirë për ty.
18
Ti vepron mirësisht me mijëra vetë, por fajin e etërve ua lë ta shpaguajnë bijve të tyre që i pasojnë. Ti je Perëndia i madh e i fuqishëm, që e ka emrin Zoti i ushtrive,
19
madhështor në këshill e i madhërishëm në vepra, që i mban sytë hapur mbi të gjitha udhët e njerëzve, për t'i dhënë secilit sipas sjelljes së vet, sipas frytit të veprave të veta.
20
Ti bëre shenja e mrekulli në dheun e Egjiptit, në Izrael e në mbarë njerëzinë gjer më sot, prandaj bëre emër për vete gjer më sot.
21
Ti e nxore popullin tënd, Izraelin, nga Egjipti, me shenja e mrekulli, me dorë të fuqishme, me krah të shtrirë e me tmerr të madh.
22
U dhe këtë tokë, siç u ishe betuar etërve të tyre t'ua jepje, tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë.
23
Ata erdhën dhe e morën në pronësi, por nuk e dëgjuan zërin tënd, nuk ecën në ligjin tënd, nuk bënë gjithçka u kishe urdhëruar të bënin, prandaj ua dërgove të gjitha këto mynxyra.
24
Ja, rrethimi i është afruar qytetit për ta pushtuar. Qyteti do t'u dorëzohet kaldenjve, që po e luftojnë me shpatë, me uri e me murtajë. Çfarë kishe thënë po ndodh dhe, ja, ti po e sheh.
25
Por ti, o Zot, Zoti im, më thua: blije arën për vete me para e thuaju dëshmitarëve të dëshmojnë, ndërsa qyteti po u dorëzohet kaldenjve”».
26
Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha:
27
«Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo gjallese. A ka ndonjë gjë të vështirë për mua?
28
Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, po ua dorëzoj këtë qytet kaldenjve dhe po ia lë në dorë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e ai do ta pushtojë.
29
Kaldenjtë që po luftojnë kundër këtij qyteti, do të hyjnë, do t'i vënë zjarrin këtij qyteti e do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi pullazet e të cilave iu kushtua temjan Baalit e iu derdhën fli stërpikjeje perëndive të tjerë, për të më zemëruar mua.
30
Se bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës bënë vetëm çfarë është keq në sytë e mi që nga rinia e tyre. Bijtë e Izraelit vetëm më kanë zemëruar me veprën e duarve të tyre, kumton Zoti.
31
Ky qytet u bë shkaku i zemërimit dhe i tërbimit tim, që prej ditës kur e ndërtuan e deri më sot. Unë do ta zhduk nga prania ime,
32
për shkak të gjithë ligësisë së bijve të Izraelit dhe të bijve të Judës, që e bënë për të më zemëruar, ata, mbretërit e tyre, prijësit e tyre, priftërinjtë dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe të gjithë banorët e Jerusalemit.
33
Më kthyen shpinën e jo fytyrën. Unë i mësoja pareshtur, por ata nuk më dëgjuan e nuk e pranuan qortimin.
34
Ata vendosën pështirësitë në tempullin ku thirret emri im, për ta përdhosur.
35
Ndërtuan faltoret e Baalit në vende të larta në luginën e Ben Hinomit, për t'i kushtuar Molekut bijtë e bijat, gjë që unë nuk ua kisha urdhëruar kurrë. Nuk më kishte shkuar ndër mend se do ta kishin bërë këtë pështirësi, për ta shtyrë Judën në mëkat.
36
E tani, për këtë arsye, kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ti thua se iu dorëzua mbretit të Babilonisë me shpatë, me uri e me murtajë:
37
ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i pata degdisur, kur u zemërova, kur u tërbova, kur u hidhërova fort. Do t'i kthej në këtë vend e do t'i lë të banojnë të qetë.
38
Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre.
39
Do t'u jap një zemër e një udhë, që të më druajnë gjithmonë, për të mirën e tyre dhe të bijve të vet pas tyre.
40
Do të bëj me ta një besëlidhje të amshuar e do t'u bëj mirë pareshtur. Do t'u vë në zemër drojën time, që të mos ikin prej meje.
41
Do të gëzohem duke u bërë mirë e do t'i mbjell me të vërtetë në këtë tokë, me gjithë zemër e me gjithë shpirt.
42
Se kështu thotë Zoti: siç solla mbi këtë popull gjithë këtë mynxyrë të madhe, po ashtu do të dërgoj mbi ta tërë të mirën që po u premtoj.
43
Do të blihen ara në këtë tokë për të cilën ju thoni se është shkretinë, pa njerëz e pa shtazë dhe se ka rënë në dorë të kaldenjve.
44
Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen fletëblerje, do të vulosen e do t'u paraqiten dëshmitarëve në tokën e Benjaminit, në rrethinat e Jerusalemit, në qytetet e Judës, në qytetet kodrinore, në qytetet e Shefelahut e në qytetet e Negevit, se do t'i kthej robërit e tyre, kumton Zoti ».
← Chapter 31
Chapter 33 →