bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Isaiah 52
Isaiah 52
albanian-2018
1
Zgjohu, zgjohu, ngjishu me fuqi, o Sion, vishi rrobat e tua më të bukura, o Jerusalem, qyteti i shenjtë, se te ti nuk do të vijë më kurrë i parrethpreri e i papastri.
2
Shkunde pluhurin, ngrihu, o Jerusalem i robëruar, zgjidhi vargonjtë që ke në qafë, o e robëruara bijë e Sionit.
3
Se kështu thotë Zoti: Ju shitën për hiçgjë, por pa para do të shpengoheni.
4
Se kështu thotë Zoti Perëndi: populli im zbriti dikur në Egjipt për të jetuar. Mandej erdhën asirianët dhe e shtypën pa shkak.
5
E tani ç'fitoj unë këtu, kumton Zoti, kur popullin tim e rrëmbyen pa shkak? Sunduesit e tij ngadhënjejnë, kumton Zoti, dhe emri im shahet përherë tërë ditën.
6
Prandaj populli im do ta njohë emrin tim, prandaj atë ditë do ta dijë se unë jam ai që thoshte: «Ja ku jam!».
7
Sa të bukura janë mbi male këmbët e lajmëtarit, të atij që shpall lajmin e paqes, që shpall shpëtimin e i thotë Sionit: «Perëndia yt mbretëron!».
8
Rojtarët e tu po thërrasin, po ngrenë tok zërin e po brohorasin, se me sytë e tyre po shohin Zotin që kthehet në Sion.
9
Shpërtheni së bashku në britma gëzimi, o rrënojat e Jerusalemit, se Zoti i jep ngushëllim popullit të tij, Jerusalemin po e shpengon.
10
Se Zoti e zhveshi krahun e tij të shenjtë në sytë e mbarë kombeve. Mbarë skajet e tokës do ta shohin shpëtimin e Perëndisë tonë.
11
Nisuni, nisuni, dilni prej andej, mos prekni asgjë të papastër, dilni prej Babilonisë e pastrohuni, o ju që mbartni enët e Zotit.
12
Se nuk do të dilni me nxitim, me ngut nuk do të ikni. Para jush do të shkojë Zoti, pas jush do të jetë Perëndia i Izraelit.
13
Ja, shërbëtorit tim do t'i prijë e mbara, do të nderohet, do të lartësohet, shumë do të madhërohet.
14
Të shumtë ata që u shtangën prej tij, kur panë pamjen e njeriut të shfytyruar, kaq ndryshe nga trajta e bijve të njeriut.
15
Kështu, ai do të mahnitë shumë kombe e mbretërit do të mbyllin gojën para tij, sepse do të shohin çka nuk u ishte treguar, do të kuptojnë çka nuk kishin dëgjuar.
← Chapter 51
Chapter 53 →