bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
Isaiah 14
Isaiah 14
albanian-2018
1
Por Zoti do të ketë dhembshuri për Jakobin e do ta zgjedhë përsëri Izraelin dhe në tokën e tyre sërish do t'i vendosë. Me ta do të bashkohen edhe të huajt e do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.
2
Popuj të tjerë do t'i marrin izraelitët e do t'i çojnë në vendin e tyre. Atëherë shtëpia e Izraelit do t'i marrë si trashëgimi në tokën e Zotit e do t'i bëjë shërbëtorë e shërbëtore për vete. Ata që i patën robëruar do të bëhen robërit e tyre dhe izraelitët do të sundojnë mbi ata që dikur i sundonin.
3
Kur Zoti të të ketë çliruar prej vuajtjes, prej mjerimit e prej skllavërisë së rëndë, nën zgjedhën e së cilës ishe,
4
do të thuash këtë fjalë shpotitëse kundër mbretit të Babilonisë: Si mbaroi kështu tirani? Si mori fund shtypja?
5
Zoti e theu shkopin e të paudhëve, skeptrin e tiranëve e copëtoi,
6
që i godiste popujt me furi, që i gjuante pa pushim, që me zemërim i nënshtronte kombet, që i përndiqte pa mëshirë.
7
E qetë prehet toka mbarë, brohorasin kudo me gëzim.
8
Për ty gëzojnë edhe bredhat, gëzojnë cedrat e Libanit: «Që atëherë kur u shove ti, s'erdhi më kush për të na prerë!».
9
Edhe skëterra poshtë për ty u vu në lëvizje, ardhjen tënde duke pritur, për ty i ngriti hijet e të vdekurve, të gjithë ata që dikur sundonin tokën, prej froneve të tyre i bëri të ngrihen gjithë mbretërit e kombeve.
10
Të gjithë do të marrin fjalën. «U këpute edhe ti si ne», do të thonë, «Edhe ti u bëre njëlloj si ne».
11
Në skëterrë u plandos madhëria jote, bashkë me tingëllimën e harpave të tua, krimbat do të kesh tani për shtrojë, vemjet për mbulesë.
12
Po si re prej qiellit, o dritësjellës, ti, o biri i agimit? U përplase përdhe edhe ti, ti që mbi kombet ngadhënjeje.
13
Në zemër ti thoshe: «Në qiell kam për t'u ngjitur, fronin mbi yjet e Perëndisë do ta ngre. Do të ulem mbi malin e tubimit, atje në skaj të veriut.
14
Do të ngjitem përsipër reve, do të bëhem si i Tejlarti».
15
Por, ja që je plandosur në skëterrë, në skajin më të thellë të gropës.
16
Kush të sheh, sytë t'i ngul, me vëmendje të vështron: «A nuk është ky ai që trandte tokën, që i bënte mbretëritë të dridheshin?
17
Ai që botën shkretëtirë e bëri, që qytetet ia rrafshoi e të burgosurit kurrë nuk i liroi?».
18
Tërë mbretërit e kombeve, të gjithë prehen me lavdi, secili në varrin e vet.
19
Por ty të kanë flakur jashtë varrit, si atë degën e kalbur, i mbështjellë me të therurit, me të shpuarit nga shpata, të hedhur mbi pllakat e varrit, si kufomë shkelur me këmbë.
20
Ti nuk do të varrosesh si ata, se vendin tënd e ke shkretuar, e popullin tënd e ke shfarosur. Fara e keqbërësve nuk do të përmendet më kurrë.
21
Bëni gati shfarosjen për bijtë e tij, për paudhësinë e etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën, që të mos mbushin më faqen e dheut.
22
Do të ngrihem kundër tyre, kumton Zoti i ushtrive, Babilonisë do t'ia shfaros emrin, bashkë me ç't'i ketë mbetur, me farë e me fis, kumton Zoti,
23
do ta bëj fole iriqësh, do ta kthej në moçal. Do ta fshij me fshesë shkatërrimi, kumton Zoti i ushtrive.
24
Zoti i ushtrive është betuar: përnjëmend, siç e mendova, ashtu do të ndodhë, siç e shestova, ashtu do të jetë.
25
Do ta mposht Asirinë në tokën time, në malet e mia do ta shkel me këmbë. Zgjedha e saj do të hiqet prej tyre, barra e saj do t'u bjerë prej shpatullave.
26
Ky është vendimi i marrë kundër mbarë tokës, ky është krahu i shtrirë mbi mbarë kombet!
27
Sepse kështu vendosi Zoti i ushtrive, kush mund të kundërshtojë? Krahu i tij është shtrirë tashmë, kush mund t'ia kthejë pas?
28
Vitin që vdiq mbreti Ahaz, u bë kjo profeci:
29
mos u gëzo ti, o Filiste e tërë, se u thye shkopi që të rrihte. Nga rrënja e gjarprit do të dalë nepërka e pjella e tij do të jetë dragua fluturues.
30
Të parëlindurit e skamnorëve do të kenë ç'të hanë e të varfrit do të pushojnë në qetësi. Me uri do ta zhbij rrënjën tënde e ç'të ketë mbetur prej teje do të vritet.
31
Vajto, o portë! Jepja gjëmës, o qytet! Dridhu ti, o Filiste e tërë, se po vjen tymi nga veriu e nga radhët e tij s'ikën kush.
32
E ç'përgjigje do t'u japin lajmëtarëve të kombeve? «Sionin e ka themeluar Zoti. Në të do të gjejnë strehim të mjerët e popullit të tij».
← Chapter 13
Chapter 15 →