bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
2 Kings 15
2 Kings 15
albanian-2018
1
Në vitin e njëzeteshtatë të mbretërimit të Jeroboamit në Izrael, Azarjahu, biri i Amacjahut, u bë mbret i Judës.
2
Azarjahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur u bë mbret dhe sundoi pesëdhjetë e dy vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jeholia dhe ishte nga Jerusalemi.
3
Azarjahu bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Amacjahu.
4
Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime dhe temjan në to.
5
Zoti e goditi mbretin me sëmundjen e lebrës, e cila nuk iu shërua derisa vdiq. Mbreti banoi në një shtëpi të veçuar, ndërsa mbikëqyrjen e pallatit mbretëror dhe gjykimin e popullit të vendit e mori përsipër i biri, Jotami.
6
Bëmat e tjera të Azarjahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.
7
Azarjahu u preh me paraardhësit e tij dhe populli e varrosi bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jotami.
8
Në vitin e tridhjetetetë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Zakaria, biri i Jeroboamit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi vetëm gjashtë muaj në Samari.
9
Zakaria bëri çka është keq në sytë e Zotit, ashtu siç kishin bërë edhe paraardhësit e tij, dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat.
10
Shalumi, biri i Jabeshit, ngriti krye kundër Zakarisë, e goditi, e vrau para popullit dhe u bë vetë mbret në vend të tij.
11
Bëmat e tjera të Zakarisë janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
12
Kështu u përmbush fjala që Zoti i kishte thënë Jehut, se pasardhësit e tij do të rrinin në fronin e Izraelit deri në brezninë e katërt. Dhe ashtu ndodhi.
13
Në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të Uziahut në Judë, Shalumi, biri i Jabeshit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi vetëm një muaj në Samari.
14
Menahemi, biri i Gadit, marshoi nga Tircahu në Samari, ku e sulmoi Shalumin, birin e Jabeshit, e vrau dhe mbretëroi në vend të tij.
15
Bëmat e tjera të Shalumit dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
16
Asokohe Menahemi u nis nga Tircahu dhe sulmoi Tifsahun me gjithë rrethina, sepse nuk i kishin hapur portat. Ai vrau edhe të gjitha gratë shtatzëna e u çau barkun.
17
Në vitin e tridhjetenëntë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Menahemi, biri i Gadit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi dhjetë vjet në Samari.
18
Menahemi bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe, sa qe gjallë, nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat.
19
Puli, mbreti i Asirisë, sulmoi vendin dhe Menahemi i dha tridhjetë tonë argjend, që Puli ta përkrahte dhe t'ia bënte mbretërimin më të fortë.
20
Argjendin për mbretin e Aramit Menahemi e mblodhi nga populli i Izraelit. Të gjithë fisnikët e pasur duhej të paguanin secili nga pesëdhjetë monedha argjendi. Kështu, mbreti i Asirisë u kthye në vendin e tij dhe nuk qëndroi në Izrael.
21
Bëmat e tjera të Menahemit dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
22
Menahemi u preh me paraardhësit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Pekahiahu.
23
Në vitin e pesëdhjetë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Pekahiahu, biri i Menahemit, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për dy vjet në Samari.
24
Pekahiahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat.
25
Kundër Pekahiahut u ngrit Pekahu, biri i Remaliahut, kreu i ushtrisë, dhe e goditi për vdekje në Samari, në fortesën e pallatit mbretëror. Bashkë me Pekahun ishin pesëdhjetë luftëtarë të Gileadit, si edhe Argobi dhe Ariehu. Pekahu e vrau Pekahiahun dhe mbretëroi vetë në vend të tij.
26
Bëmat e tjera të Pekahiahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
27
Në vitin e pesëdhjetedytë të mbretërimit të Azarjahut në Judë, Pekahu, biri i Remaliahut, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për njëzet vjet në Samari.
28
Pekahu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe nuk u shmang nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat.
29
Në kohën e Pekahut, mbretit të Izraelit, erdhi Tiglat Pileseri, mbreti i Asirisë, dhe pushtoi Ijonin, Abel Bet Makahun, Janoahun, Kedeshin, Hacorin, Gileadin, Galilenë e mbarë tokat e Neftaliut. Banorët e tyre i degdisi në Asiri.
30
Kundër Pekahut, birit të Remaliahut, u ngrit Hosea, biri i Elahut, e goditi, e vrau dhe u bë vetë mbret në vend të tij, në vitin e njëzetë të Jotamit, birit të Uziahut.
31
Bëmat e tjera të Pekahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.
32
Në vitin e dytë të mbretërimit të Pekahut, birit të Remaliahut, në Izrael, Jotami, biri i Uziahut, u bë mbret i Judës.
33
Jotami ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jerusha dhe ishte e bija e Cadokut.
34
Jotami bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu siç kishte bërë edhe i ati, Uziahu.
35
Megjithatë faltoret në vende të larta nuk u zhdukën dhe populli vazhdonte të kushtonte flijime e temjan në to. Jotami ndërtoi Portën e Epërme të tempullit të Zotit.
36
Bëmat e tjera të Jotamit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës.
37
Në kohën e Jotamit, Zoti filloi të dërgojë kundër Judës Recinin, mbretin e Aramit, dhe Pekahun, birin e Remaliahut.
38
Jotami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ahazi.
← Chapter 14
Chapter 16 →