bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
2 Chronicles 23
2 Chronicles 23
albanian-2018
1
Në vitin e shtatë Jehojadai u bë i guximshëm dhe bëri një besëlidhje me tërë kryeqindësit, me Azarjahun, birin e Jerohamit, me Ishmaelin, birin e Jehohananit, me Azarjahun, birin e Obedit, me Masejahun, birin e Adajahut dhe me Elishafatin, birin e Zikriut.
2
Ata shkuan anekënd Judës, mblodhën nga të gjitha qytetet e Judës levitët dhe krerët e familjeve të Izraelit dhe erdhën në Jerusalem.
3
Të gjithë u mblodhën dhe bënë një besëlidhje me mbretin në tempullin e Perëndisë. Pastaj Jehojadai u tha: «Ky është biri i mbretit! Ai duhet të mbretërojë, siç ka thënë Zoti për pasardhësit e Davidit.
4
Ja se ç'duhet të bëni: një e treta e priftërinjve dhe levitëve, që marrin shërbimin të shtunën, do të ruajnë portat e tempullit,
5
një e treta pallatin mbretëror dhe një e treta Portën e Themelit. Populli të mblidhet i gjithi në tremet e tempullit të Zotit.
6
Askush të mos hyjë në tempullin e Zotit, përveç priftërinjve dhe levitëve që kryejnë shërbesën. Ata mund të hyjnë, sepse janë të shenjtëruar. Mbarë populli të zbatojë urdhëresën e Zotit.
7
Levitët do të qëndrojnë rreth e rrotull mbretit me armë në dorë dhe do të vrasin këdo që do t'i afrohet tempullit. Do ta shoqërojnë mbretin kudo që të shkojë».
8
Levitët e mbarë Juda bënë siç u urdhëroi prifti Jehojada. Secili prej tyre mblodhi burrat e vet që do të merrnin apo do të linin shërbimin të shtunën. Prifti Jehojada nuk kishte lënë asnjë nga njësitë të largoheshin.
9
Prifti Jehojada u dha kryeqindësve ushtat, mburojat dhe shqytet, që kishte pasur mbreti David e që gjendeshin në tempullin e Perëndisë.
10
Të gjithë luftëtarët u vendosën të armatosur përpara tempullit, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tij, për të mbrojtur mbretin nga çdo anë.
11
Atëherë ata nxorën birin e mbretit, i vunë kurorën në kokë dhe i dorëzuan rrotullën e dëshmisë. Pastaj Jehojadai dhe bijtë e tij e vajosën mbret, duartrokitën e brohoritën: «Rroftë mbreti!».
12
Atalia dëgjoi popullin, që vraponte e brohoriste për mbretin, prandaj shkoi te populli në tempullin e Zotit.
13
Kur pa mbretin tek qëndronte pranë shtyllës në hyrje të tempullit, luftëtarët dhe borizanët, që i qëndronin pranë, popullin, që gëzonte e u binte borive, këngëtarët dhe muzikantët, që udhëhiqnin lavdërimin me veglat e tyre, shqeu rrobat e bërtiti: «Tradhti! Tradhti!».
14
Atëherë prifti Jehojada urdhëroi kryeqindësit e ushtrisë e u tha: «Nxirreni jashtë nga radhët tuaja dhe vritni me shpatë këdo që i shkon pas». Veçse, u kishte thënë të mos e vrisnin brenda në tempullin e Zotit.
15
Atëherë e kapën dhe e vranë sapo ajo arriti në pallatin mbretëror, te hyrja e Portës së Kuajve.
16
Jehojadai bëri një besëlidhje mes tij, popullit dhe mbretit, që populli t'i përkiste Zotit.
17
Atëherë mbarë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërruan. Altarët dhe idhujt e tij i rrënuan dhe Matanin, priftin e Baalit, e vranë para altarëve.
18
Mandej Jehojadai caktoi roja rreth tempullit të Zotit, nën mbikëqyrjen e priftërinjve dhe levitëve, siç i kishte caktuar Davidi në tempullin e Zotit, për t'i kushtuar fli shkrumbimi Zotit, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me gëzim e me këngë, siç kishte urdhëruar Davidi.
19
Ai vendosi edhe derëtarët te portat e tempullit të Zotit, që të mos linin të hynte asnjë që ishte bërë i papastër për çfarëdo arsye.
20
Ai mblodhi kryeqindësit, fisnikët, qeveritarët e mbarë popullin dhe e shoqëruan mbretin nga tempulli i Zotit për në pallatin mbretëror përmes Portës së Epërme. Mbreti Joash u ul në fronin mbretëror.
21
Mbarë populli i vendit u gëzua dhe qyteti ra në paqe. Atalinë e vranë me shpatë.
← Chapter 22
Chapter 24 →