bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
1 Kings 6
1 Kings 6
albanian-2018
1
Në vitin e katërqind e tetëmbëdhjetë pas daljes së Izraelit nga vendi i Egjiptit, në muajin e dytë të vitit të katërt të mbretërimit të Solomonit në Izrael, në muajin Ziv, Solomoni filloi ndërtimin e tempullit të Zotit.
2
Tempulli që mbreti Solomon ndërtoi për Zotin ishte tridhjetë metra i gjatë, dhjetë metra i gjerë dhe pesëmbëdhjetë metra i lartë.
3
Portiku në ballinën e anijatës së tempullit ishte dhjetë metra i gjerë, aq sa ishte edhe gjerësia e tempullit, dhe dilte pesë metra nga ballina e tempullit.
4
Në tempull Solomoni vuri dritare me korniza e me rrjeta hekuri.
5
Ngjitur me murin e jashtëm të tempullit, që rrethonte anijatën dhe shenjtëroren, ai ndërtoi dhoma anësore me kate.
6
Kati i poshtëm i dhomave anësore ishte dy metra e gjysmë i gjerë, kati i mesëm tre metra dhe kati i tretë tre metra e gjysmë, sepse murin e jashtëm të tempullit e kishte bërë me dalje si shkallare, në mënyrë që trarët të mos hynin brenda në mur.
7
Tempulli u ndërtua me gurë të latuar që në gurore, kështu që gjatë ndërtimit të tij, nuk u dëgjua as çekiç, as sëpatë e as ndonjë vegël tjetër hekuri.
8
Hyrja për në katin e poshtëm ishte në anën e djathtë të tempullit. Me anë të shkallëve rrethore ngjiteshe në katin e mesëm dhe nga kati i mesëm në katin e tretë.
9
Kur mbaroi ndërtimi i mureve, Solomoni e mbuloi tempullin me trarë e me dërrasa cedri.
10
U ndërtuan edhe dhomat anësore përreth tempullit. Çdo kat ishte dy metra e gjysmë i lartë dhe lidhej me tempullin me trarë cedri.
11
Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Solomonit:
12
«Ti po e ndërton këtë tempull. Nëse ecën sipas rregullave të mia, nëse zbaton vendimet e mia dhe nëse ruan të gjitha urdhërimet e mia dhe i ndjek ato, atëherë do ta përmbush për ty premtimin që i bëra Davidit, atit tënd,
13
se do të banoj mes izraelitëve dhe se nuk do ta braktis kurrë popullin tim Izraelin».
14
Pasi Solomoni ndërtoi ngrehinën e tempullit,
15
i veshi muret e tij me dru cedri, prej dyshemesë deri në tavan. Edhe tavanin e veshi me dru cedri, ndërsa dyshemenë e shtroi me dërrasa qiparisi.
16
Në pjesën e pasme të tempullit, ai ndërtoi një ndarje dhjetë metra të gjatë dhe e veshi me dru cedri, nga dyshemeja në tavan. Kjo ndarje ishte shenjtërorja dhe quhej shenjtërorja e shenjtëroreve.
17
Pjesa tjetër e tempullit, anijata, që ndodhej përpara shenjtërores, ishte njëzet metra e gjatë.
18
Drurët e cedrit, që vishnin muret e brendshme të tempullit, ishin të gdhendur me trajta kungujsh dhe gonxhe lulesh të çelura. Gjithçka ishte e veshur me dru cedri dhe nuk dukej asnjë gur.
19
Shenjtëroren, që ishte në pjesën e brendshme të tempullit, Solomoni e bëri gati për të vendosur arkën e besëlidhjes së Zotit.
20
Shenjtërorja ishte dhjetë metra e gjatë, dhjetë metra e gjerë e dhjetë metra e lartë. Solomoni e veshi të tërën me ar të pastër, ndërsa altarin e punoi me dru cedri.
21
Pjesën e brendshme të tempullit e veshi me ar të pastër dhe vuri vargonj ari përpara shenjtërores së veshur po me ar.
22
Kështu, Solomoni e veshi të gjithë tempullin me ar. Edhe altarin, që ishte brenda në shenjtërore, e veshi po me ar.
23
Brenda shenjtërores Solomoni punoi dy kerubë prej druri ulliri, pesë metra të lartë.
24
Të dy krahët e kerubit ishin nga dy metra e gjysmë. Largësia nga maja e njërit krah deri te maja e krahut tjetër ishte pesë metra.
25
Edhe kerubi i dytë kishte largësi pesë metra. Të dy kerubët kishin të njëjtat përmasa dhe të njëjtën trajtë.
26
Lartësia e njërit kerub ishte pesë metra dhe po aq ishte edhe lartësia e tjetrit.
27
Kerubët i vendosi në mes të dhomës së brendshme të tempullit. Kerubët i kishin krahët të hapur. Kështu, njëri krah i njërit kerub prekte njërën anë të murit dhe krahu i kerubit tjetër prekte anën tjetër të murit. Dy krahët e tjerë të kerubëve puqeshin në mes të tempullit.
28
Solomoni i veshi kerubët me ar.
29
Në të gjitha muret e tempullit, brenda e jashtë, ai gdhendi pamje kerubësh, palmash dhe gonxhesh të çelura.
30
Edhe dyshemenë e tempullit e veshi me ar, si brenda, dhe jashtë.
31
Derën e shenjtërores e bëri me dy kanate druri ulliri. Arkitrau dhe shtalkat kishin trajtën e një pesëkëndëshi.
32
Mbi dy kanatet e derës ai gdhendi pamje kerubësh, palmash e gonxhesh të çelura, i veshi me ar e u dha trajtën e kerubëve dhe të palmave.
33
Të njëjtën gjë bëri edhe me hyrjen e tempullit. Shtalkat i bëri me dru ulliri dhe në trajtë katërkëndëshe.
34
Dy kanatet i bëri me dru qiparisi. Çdo kanat kishte nga dy pjesë që paloseshin.
35
Mbi to gdhendi kerubë, palma e gonxhe të çelura dhe gdhendjet i veshi me ar në mënyrë të njëtrajtshme.
36
Pastaj ndërtoi tremen e brendshme me tre rreshta gurësh të latuar e një rresht trarësh cedri.
37
Themelet e tempullit të Zotit u hodhën në muajin Ziv të vitit të katërt,
38
ndërsa në muajin Bul, që është muaji i tetë, të vitit të njëmbëdhjetë, mbaroi ndërtimi i tempullit dhe i gjithë pjesëve të tij, ashtu siç ishte menduar. Solomoni e ndërtoi tempullin për shtatë vjet.
← Chapter 5
Chapter 7 →