bible
ra
🌐 Language
English
Español
Français
Deutsch
Português
Italiano
Nederlands
Русский
中文
日本語
한국어
العربية
Türkçe
Tiếng Việt
ไทย
Indonesia
All Languages
Home
/
Albanian
/
albanian-2018
/
1 Kings 2
1 Kings 2
albanian-2018
1
Kur po i afrohej dita e vdekjes, Davidi thirri Solomonin, birin e tij, e i tha:
2
«Unë po shkoj, siç shkon çdo gjë mbi tokë. Ji i fortë e bëhu burrë!
3
Zbato urdhrat që të ka dhënë Zoti, Perëndia yt, dhe ec udhëve të tij. Mbaj rregullat, urdhërimet, vendimet dhe dëshmitë e tij, ashtu siç janë shkruar në ligjin e Moisiut, që të të shkojë mbarë çfarëdo që të bësh e kudo që të shkosh.
4
Kështu, Zoti do ta përmbushë premtimin që më bëri kur tha: “Nëse pasardhësit e tu kujdesen që të ecin në praninë time, duke më qëndruar besnikë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”.
5
Për më tepër, ti e di ç'më bëri Joabi, biri i Cerujahut, e ç'u bëri dy krerëve të ushtrisë së Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amasait, birit të Jeterit. I vrau, duke derdhur gjak në kohë paqeje, si të ishte kohë lufte. Ai ka njollosur me gjak lufte brezin që ngjesh në ijë dhe sandalet që mbath në këmbë.
6
Vepro me urti e mos lejo që ai të zbresë i qetë në skëterrë, kur t'i jenë zbardhur flokët.
7
Por me bijtë e Barzilait tregohu i mirë dhe ftoji të hanë në tryezën tënde, se ata m'u gjendën pranë kur mora arratinë për t'i shpëtuar vëllait tënd, Absalomit.
8
Ka mbetur edhe Shimei, biri i Gerait, benjaminasi nga Bahurimi. Ai është pranë teje, por ka thënë një mallkim të rëndë kundër meje, ditën që po shkoja në Mahanaim. Erdhi e më takoi në Jordan dhe unë iu betova para Zotit se nuk do ta vrisja me shpatë.
9
Por mos e lë pa e ndëshkuar, sepse ti je burrë i urtë dhe e di vetë si duhet të veprosh me të. Plandose në skëterrë me thinjat tërë gjak».
10
Davidi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit.
11
Ai mbretëroi dyzet vjet në Izrael, shtatë në Hebron dhe tridhjetë e tre në Jerusalem.
12
Mbi fronin e Davidit u ul biri i tij, Solomoni, dhe mbretërimi i tij u forcua shumë.
13
Një ditë, Adonjahu, biri i Hagitës, shkoi te Batsheba, nëna e Solomonit, e ajo e pyeti: «Vjen me qëllime paqësore?». Ai iu përgjigj: «Po, vij me qëllime paqësore».
14
Dhe shtoi: «Kam diçka për të të thënë». Ajo i tha: «Fol».
15
Ai i tha: «Ti e di se mbretëria më takonte mua dhe se mbarë Izraeli priste që të bëhesha unë mbret. E megjithatë m'u hoq mua e iu dha tim vëllai, sepse kështu ishte vullneti i Zotit.
16
Tani kam vetëm një kërkesë. Mos ma hidh poshtë, të lutem». Ajo i tha: «Fol».
17
Adonjahu i tha: «Fol, të lutem, me mbretin Solomon, se ai ta dëgjon fjalën, që të më japë për grua Abishagën, shunamiten».
18
Batsheba i tha: «Mirë, do t'i flas mbretit për ty».
19
Atëherë Batsheba shkoi për të folur me mbretin Solomon për Adonjahun. Mbreti u ngrit në këmbë për të pritur të ëmën, u përkul para saj dhe u ul mbi fronin e vet. Urdhëroi të vendosnin edhe një fron tjetër për nënën e mbretit dhe ajo u ul në të djathtë të tij.
20
Batsheba i tha: «Kam vetëm një kërkesë të vogël, ma plotëso». Mbreti i tha: «Thuaje kërkesën, o nëna ime, se do të ta plotësoj».
21
Ajo i tha: «Jepja për grua Adonjahut, vëllait tënd, Abishagën, shunamiten».
22
Mbreti Solomon iu përgjigj së ëmës: «Përse ma kërkon Abishagën, shunamiten, për Adonjahun? Kërko për të edhe mbretërinë atëherë, sepse ai është vëllai im i madh dhe ka përkrahjen e priftit Abiatar dhe të Joabit, birit të Cerujahut».
23
Atëherë mbreti Solomon u betua për Zotin: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, nëse këtë nuk e ka kërkuar vetë Adonjahu, në dëm të jetës së tij.
24
Pasha Zotin, që më forcoi, që më uli mbi fronin e atit tim, Davidit, e që ia premtoi fronin shtëpisë sime, sot Adonjahu do të vritet».
25
Mbreti Solomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për të vrarë Adonjahun. Benajahu e goditi dhe Adonjahu vdiq.
26
Mbreti i tha priftit Abiatar: «Shko në Anatot, tek arat e tua. Ndonëse e meriton vdekjen, nuk po të vras sot, sepse ke mbartur arkën e Zotit në praninë e atit tim, Davidit, dhe ke kaluar të gjitha vështirësitë që kaloi edhe im atë».
27
Solomoni e përjashtoi Abiatarin prej priftërisë së Zotit, që të përmbushej fjala e thënë prej Zotit për shtëpinë e Eliut në Shiloh.
28
Lajmi i shkoi edhe Joabit. Joabi, megjithëse nuk kishte mbajtur anën e Absalomit, kishte përkrahur Adonjahun, prandaj shkoi të strehohej në tendën e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit.
29
Kur mbretit Solomon i thanë se Joabi ishte strehuar në tendën e Zotit dhe ndodhej tek altari, ai dërgoi Benajahun, birin e Jehojadait, për ta vrarë Joabin.
30
Benajahu shkoi te tenda e Zotit e i tha Joabit: «Me urdhër të mbretit, dil jashtë!». Joabi i tha: «Jo, dua të vdes këtu». Benajahu i çoi fjalë mbretit e i tha: «Kështu tha Joabi e kështu m'u përgjigj».
31
Atëherë mbreti i tha: «Bëj siç të tha: vrite në vend e varrose. Kështu do ta heqësh prej meje e prej shtëpisë së atit tim gjakun e pafajshëm që derdhi Joabi.
32
Zoti le t'ia hedhë mbi kokë Joabit gjakun e Abnerit, birit të Nerit, prijësit të ushtrisë së Izraelit dhe të Amasait, birit të Jeterit, prijësit të ushtrisë së Judës. Të dy ishin njerëz të pafajshëm e më të mirë se ai, por ai i vrau me shpatë, pa dijeninë e tim eti, Davidit.
33
Gjaku i tyre rëntë në amshim mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij, ndërsa mbi Davidin, mbi pasardhësit, mbi shtëpinë dhe fronin e tij, qoftë gjithmonë paqja e Zotit!».
34
Atëherë Benajahu, biri i Jehojadait, shkoi, e goditi dhe e vrau. Joabin e varrosën në shtëpinë e vet në shkretëtirë.
35
Në vend të Joabit, mbreti caktoi si prijës të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadait. Në vend të Abiatarit, mbreti vuri priftin Cadok.
36
Mbreti dërgoi lajmëtarë për të thirrur Shimein e i tha: «Ndërto një shtëpi në Jerusalem ku të banosh e mos dil më nga qyteti për të shkuar ndokund.
37
Ditën që do të dalësh nga qyteti e do të kalosh përroin e Kidronit, dije mirë se ke për të vdekur dhe se gjaku yt do të bjerë mbi vetë kokën tënde».
38
Shimei i tha mbretit: «Mirë, shërbëtori yt do të bëjë siç tha imzot mbreti». Shimei banoi për një kohë të gjatë në Jerusalem.
39
Pas tre vjetësh, dy nga shërbëtorët e Shimeit u arratisën e shkuan tek Akishi, biri i Makahut, mbreti i Gatit. Shimeit i thanë se shërbëtorët e tij ishin në Gat.
40
Atëherë Shimei u ngrit, shaloi gomarin e shkoi në Gat tek Akishi për të kërkuar shërbëtorët e tij dhe për t'i marrë pas.
41
Solomonin e njoftuan se Shimei kishte shkuar nga Jerusalemi në Gat e ishte kthyer.
42
Mbreti dërgoi disa njerëz për ta thirrur Shimein e i tha: «A nuk të vura të betoheshe për Zotin dhe a nuk të paralajmërova e të bëra me dije se ditën që do të shkoje ndokund, kishe për të vdekur, e ti më the “mirë”?
43
Përse, pra, nuk e mbajte betimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të dhashë?».
44
Pastaj mbreti i tha Shimeit: «Ti i di e i mban mend mirë gjithë të këqijat që i ke bërë Davidit, atit tim. Tani Zoti do të ta kthejë të keqen që ke bërë.
45
Mbreti Solomon ka për të qenë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i palëkundur në amshim para Zotit ».
46
Mandej mbreti i dha urdhër Benajahut, birit të Jehojadait, që ta vriste Shimein. Benajahu e goditi dhe Shimei vdiq. Kështu, mbretërimi i Solomonit u bë i fortë.
← Chapter 1
Chapter 3 →